Kryeministri kosovar Hashim Thaçi në asnjë rrethanë nuk e pranon që aksioni i policisë me 25 korrik në veri, kishte dështuar.

Sipas tij, për herë të parë në historinë e Kosovës së pas luftës efektivët e policisë kanë arritur në pikat kufitare në veri dhe se të gjitha tezat e tjera për mosprezencën e tyre atje, për kryeministrin kosovar janë spekulime.

Megjithatë, përtej vlerësimeve të kryeministrit dihet fare mirë që, pikat veriore nuk janë nën kontrollin e policisë së Kosovës dhe as të doganierëve kosovarë. Përgjegjësia pas zhvillimeve të fundit i ka kaluar KFOR-it.

Por, kryeministri Thaçi thotë se, zhvillimet e fundit nuk duhet të ndërlidhen me bisedimet Kosovë-Serbi. Ai rithekson se këto dy çështje janë të ndara, ndërkohë këmbëngule se nuk do të ketë ndarje as “de facto” as “de jure” dhe nuk do të ketë status special brenda territorit të Kosovës për asnjë komunitet.

“Deklaratat për status të veçantë për veriun janë të kota dhe tërësisht të panevojshme, përderisa i ka quajtur edhe të dëmshme për projektet e institucioneve të Kosovës për normalizimin e gjendjes në veri”, është shprehur Thaçi.

Natën kur nisi aksioni i efektivëve të njësisë speciale të policisë për të marrë në kontroll pikën kufitare në portën doganore 1 në Jarinjë, TCH kishte raportuar se policia nuk ka arritur të zbatojë planin e parashikuar.

Ndërkohë njësia ROSU ishte bllokuar në Leposaviq ku kishin qëndruar për orë të tëra të bllokuar dhe më pas, nga barrikadat e serbëve lokalë, policia ishte detyruar të zmbrapset pa arritur në cakun e parashikuar.

Detaje të kësaj ngjarje i ka publikuar edhe gazeta “Koha Ditore” sipas të cilës njësia speciale nuk ka shkelur kurrë në pikat në veri.

Veç tjerash njësia e policisë nuk kishte mundur t’i dërgonte as vetë oficerët doganorë në Jarinjë ku duhej të ndalnin kamionët me mallra komerciale që hynin nga Serbia në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA