Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker përjashton opsionin e ndarjes së Kosovës dhe dhënien e statusit special për pjesën veriore. (UPDATE)

Në një konferencë për gazetarët, z.Reeker i dha mbështetje të plotë zgjidhjes së problemit në veri nëpërmjet pakos së Ahtisarit. Ai bëri thirrje për vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd në fillim të shtatorit.

Ndërkaq në deklaratat e tij e vlerësoi si shumë të rëndësishme sundimin e rendit dhe ligjit në tërë territorin. Për afro dy orë ai bisedoi me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi për situatën politike.

Pjesë e takimit ishin pothuaj të gjithë ministrat e kabintetit qeveritar, dikasteret e të cilëve janë pjesë e zhvillimeve aktuale.

“Mendoj se duhet të përqendrohemi në zbatimin e rendit dhe ligjit në veri sipas planit të Ahtisarit për t’i bërë hapat e nevojshëm në lidhje me këtë. Integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës është i qartë. Në takim ne diskutuam për shumë çështje, në mënyrë më specifike për veriun e Kosovës dhe për faktin se ndarja e veriut nuk është opsion, politika amerikane është shumë e qartë, Edhe kolegu gjerman, ministri i Jashtëm, ka qenë shumë i qartë për këtë çështje. Ne jemi të kënaqur me situatën e qetë gjatë javëve të fundit dhe mirëpresim marrëveshjen mes KFOR-it dhe Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Reeker.

Riker tha se në takim me kryeministrin Thaçi dhe kabinetin e tij ka diskutuar për proçesin e integrimeve europiane, ndërkaq theksoi se ka parë përkushtimin e plotë nga kryeministri Thaçi për të vazhduar dialogun me Beogradin.

“Ne duhet të shohim rikthimin e dialogu, i cili udhëhiqet nga Bashkimi Evropian, gjë që do të duhej të ndodhë diku në shtator. Kryeministri Thaçi dhe kabineti i tij kanë bërë të qartë përkushtimin për vendosjen e rendit dhe ligjit dhe për mirëqenien e qytetarëve”, theksoi Reeker.

Lidhur me të drejtën e autoriteteve kosovare për të vepruar siç ndodhi gjatë aksionit në veri, zyrtari i lartë amerikan tha:

“Kosova është vend sovran dhe ka të drejtë të shtrijë sovranitetin në tërë territorin e saj, ne kemi parë edhe vendet e tjera të rajonit të cilat janë të vendosura se nuk do të ketë ndryshim të kufijve. Do ta përsëris edhe njëherë sundimi i rendit dhe ligjt është çelësi i zgjidhjes këtu”, tha Reeker.

Ndryshe nga më herët, kësaj radhe zyrtarët qeveritarë nuk u prononcuan për media lidhur me takimin. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, kryenegociatorja Edita Tahiri, ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, ministrja e Integrimeve Vlora Citaku, ministrja e Tregtisë Mimoza Kusari dhe zëvendëskryeminsitri serb Sllobodan Petroviç, nuk dhanë ndonjë deklaratë për takimin sepse duket se konferenca ishte rezervuar vetëm për zyrtarin e lartë amerikan.

Burimet brenda takimit thanë se anëtarët e kabinetit qeveritar kanë shprehur prioritetet e veta secili për dikasterin që drejton.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA