Kancelarja gjermane Angela Merkel arrin të hënën në Beograd me kërkesën
që të normalizohet situata në veriun e Kosovës, sidomos kur është fjala
te doganat dhe gjykatat dhe që marrëveshja të arrihet përmes dialogut të
Prishtinës dhe Beogradit.
Frika e Beogradit se “normalizimi” nënkupton vënien e doganave dhe të gjyqësorit nën kontrollin e Prishtinës dhe se me refuzim Beogradi do të ballafaqohet me bllokimin e integrimeve të në BE, kanë shkaktuar nervozizëm dhe deklarata të ashpra të zyrtarëve serbë se “Serbia nuk do t’i kalojë linjat e kuqe” dhe se për shkak të integrimit në BE “nuk do të heq dorë nga Kosova”.
“Nuk kanë nevojë të insistojnë në dialog, sepse ne jemi të përcaktuar për dialog dhe do të japim maksimumin që të arrihet kompromisi. Por, është iluzion që nga ne të kërkohet që të pranojmë diçka që është në kundërshtim me interesat shtetërore. Nuk mund të bisedojmë për këtë, ta zëmë, që të ardhurat e doganave të shkojnë në Prishtinë sepse kjo do të thotë se po e financojmë shtetin e vetëshpallur shqiptar. Por, mund t’i kemi parasysh të ardhurat që mbesin te komunat lokale për zhvillimin e tyre”, ka thënë për “Blic” i ashtuquajturi ministër serb për Kosovën, Goran Bogdanovic.
Top Channel