Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazi,
Filip Riker i ka dhënë mbështetje Qeverisë së Kosovës për shtrirjen e
autoritetit në veri.

Sipas Kosovapress, Riker është shprehur se sovraniteti dhe integriteti i Kosovës është çështje e përfunduar.

Pas takimit që ka pasur me kryeministrin Hashim Thaçi dhe pjesën më të madhe të kabinetit qeveritar,Riker ka vënë theksin te shtrirja e rendit dhe ligjit në veri dhe ka inkurajuar fillimin e dialogut në shtator.

“Veriu”, diskutimi zhvendoset në Bruksel

Çështja e funksionimit të dy pikave doganore në veri të Kosovës do të jetë temë e diskutimit të radhës në tavolinën e dialogut teknik mes Prishtinës dhe Beogradit, në raundin e ardhshëm të bisedimeve që pritet të jetë në ditët e para të shtatorit.

Sipas burimeve ndërkombëtare, cituar nga Telegraf, Edita Tahiri dhe Borko Stefanovic do të ulen në tavolinën e bisedimeve në ditët e para të muajit shtator për t’u përpjekur të gjejnë zgjidhjen e problemit të funksionimit të doganave në veri të vendit, të cilat javët e fundit edhe ishin në qendër të trazirave në veri.

Misioni i vështirë për veriun

Që prej përfundimit të luftës, autoriteti i Prishtinës zyrtare ka munguar ose ka qenë pak prezent në pjesën veriore të Kosovës. Për kaq kohë, serbët e Veriut, si në asnjë pjesë tjetër të Kosovës formuan institucionet paralele që lidhjet vazhdojnë t’i mbajnë me Beogradin.

Në mungesë të shtetit, sipas zyrtarëve vendorë e ndërkombëtarë
në Veri “lulëzoi” krimi, kontrabanda, dhe shume fenomene te tjera
negative. Më 20 korrik Qeveria mori vendim për të ndaluar mallrat me
vula të institucioneve të Serbisë, por vendimi nuk mund të zbatohej i
tëri, sepse në portat kufitare në Veri hynin mallra pa kontroll.

Për këtë arsye kryeministri Hashim Thaçi
autorizoi Njësitet Speciale të Policisë të merrnin nën kontroll pikën
kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, ku gjatë aksionit ku mbeti i vrarë
polici Enver Zymberi, 32-vjeçar. Pas vënies nën kontroll, njësitet elite
të Policisë së Kosovës tërhiqen ndërsa në portat doganore lanë policët e
thjeshtë dhe doganierët, ndërsa ishin prezent edhe ata të EULEX-it.

Serbët që kishin vendosur barrikadat që në natën e 25 korrikut bllokuan
rrugët që dërgonin në këto porta dhe i vunë flakën pikës në Jarnjë të
Leposaviçit, por nuk mundën edhe asaj në Bërnjak të Zubin Potokut, një
skenar i ngjashëm sikurse 3 ditë pas shpalljes së pavarësisë së
Kosovës.Për këtë situatë Prishtina zyrtare bëri përgjegjës direkt
Beogradin, ndërsa pas flakëve në Jarinjë KFOR-i merr situatën nën
kontroll, duke shpallur ‘zona të kufizuara ushtarake’ dy portat
kufitare, ndërsa paralajmëron serbët që të largojnë barrikadat, sepse
KFOR mund të përdorte forcën për të liruar rrugët.

Në këtë situatë Komandanti i KFOR-it Erhard Byhler
filloi të luante edhe rolin e ndërmjetësuesit. Dhjetë ditë pas aksionit
të Njësive Speciale, kryeministri Hashim Thaçi njoftoi për arritjen e
një ‘pajtueshmërie’ me KFOR-in, për të cilën u pajtua edhe Beogradi. Në
njërën nga pikat e ‘pajtueshmërisë’ precizohej edhe ‘largimi i
bllokadave’ nga rrugët, dhe vetëm 5 ditë pas ‘pajtueshmërisë’ serbët
largojnë vetëm disa prej bllokadave dhe atë vetëm pak takimit të
kryetarëve jo-legjitim të komunave veriore me presidentin serb, Boris
Tadic.

Qeveria e Kosovës e prezanton këtë si suksesin më të madh të arritur që
nga shpallja e pavarësisë, por shumë prej subjekteve opozitare e
konsideruan këtë si një punë të lënë për gjysmë.’Pajtueshmëria’ e
arritur ndërmjet palëve, për zbatimin e së cilës do të përkujdeset
KFOR-i është menduar të zgjasë deri në mesin e shtatorit të këtij viti,
ndërsa në pikat kufitare që tashmë janë ‘zona të kufizuara ushtarake’
mungojnë doganierët kosovarë. Sidoqoftë, zgjidhja është e përkohshme,
dhe sipas Policisë situata në Veri është qetësuar, zyrtarët qeveritarë
thonë se do të vazhdojnë me shtrirjen e autoritetit dhe vendosjen e
doganierëve edhe në ato pika, ndërsa kryetarët jo legjitim të komunave
veriore vazhdojnë të kërkojnë ndihëm e Beogradit. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA