Çështja e funksionimit të dy pikave doganore në veri të Kosovës do të
jetë temë e diskutimit të radhës në tavolinën e dialogut teknik mes
Prishtinës dhe Beogradit, në raundin e ardhshëm të bisedimeve që pritet
të jetë në ditët e para të shtatorit.
Sipas burimeve ndërkombëtare, cituar nga Telegraf, Edita Tahiri dhe Borko Stefanovic do të ulen në tavolinën e bisedimeve në ditët e para të muajit shtator për t’u përpjekur të gjejnë zgjidhjen e problemit të funksionimit të doganave në veri të vendit, të cilat javët e fundit edhe ishin në qendër të trazirave në veri.
Negociatori serb, Stefanovic, i cili javët e fundit duke se ka qëndruar më tepër në veri të Kosovës sesa në Beograd dhe ka “menaxhuar” turmat e serbëve që kanë vendosur barrikadat nëpër rrug, dhe zëvendëskryeministrja kosovare, e cila për dallim nga ai ka qenë shumë më pak aktive thuhet se janë duke u konsultuar vazhdimisht nga negociuese evropian i bisedimeve, Robert Cooper.
Rudarë, serbët ende në barrikada
Barrikada në Rudare afër Zvecanit vazhdon të qëndrojë edhe gjatë ditës së martë, ndërkohë që rruga që të çon nga Mitrovica në drejtim të pikës kufitare Jarinje mbetet e bllokuar.
Sipas burimeve të Kosovapress, një numër serbësh vazhdojnë të respektojnë orarin e qëndrimit në barrikadë dhe ata ndërrohen çdo katër orë, ndërsa disa prej tyre vëzhgojnë qarkullimin e automjeteve edhe në pikat tjera ku ishin vendosur barrikada më parë.
“Dyqanet tregtare në veri të Mitrovicës janë të furnizuara me mallra nga Serbia dhe nuk vërehet mungesa e tyre”, thanë burimet, duke shtuar se mallrat po hyjnë rrugëve alternative.
Top Channel