Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi i ka quajtur të
papërgjegjshme e nxitëse deklaratat e bëra nga zyrtarët serbë për pasur
dy vula në doganat e Kosovës, ndërsa ka theksuar faktin se Prishtina
është e koordinuar me Brukselin e Uashingtonin dhe Beogradi nuk mund të
vendosë më për Kosovën.
Duke ironizuar me deklaratat e zyrtarëve serbë bërë ditëve të fundit,bën të ditur Kosovapress, Kuçi ka thënë se ata më nuk mund të vendosin për Kosovën.
Kusari: ‘Jo’ propozimit për vulat
Ministrja e Kosovës për Tregti dhe Industri, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se në kufijtë me Serbine do të përdoren vetëm vulat me simbolet e doganave të Kosovës.
“Të vetmet vula që do të përdoren në kalimet kufitare janë ato me simbolet e doganave të Kosovës”, ka thënë Kusari-Lila, duke reaguar në shkrimet e medieve të Beogradit për propozimet e Serbisë që të përdoren vulat e dyfishta.
Ministrja e Kosovës, sipas RTK-së, ka thënë se ky propozim nuk është i pranueshëm për palën e Kosovës. Ajo ka vlerësuar se ka qenë e planifikuar që për vulat doganore të flitet që në fillim të procesit negociator, në mars, por “ekipi i Beogradit e ka komplikuar situatën dhe e ka sjellë gjendjen e tashme në terren”.
“Veriu”, diskutimi zhvendoset në Bruksel
Çështja e funksionimit të dy pikave doganore në veri të Kosovës do të jetë temë e diskutimit të radhës në tavolinën e dialogut teknik mes Prishtinës dhe Beogradit, në raundin e ardhshëm të bisedimeve që pritet të jetë në ditët e para të shtatorit.
Sipas burimeve ndërkombëtare, cituar nga Telegraf, Edita Tahiri dhe Borko Stefanovic do të ulen në tavolinën e bisedimeve në ditët e para të muajit shtator për t’u përpjekur të gjejnë zgjidhjen e problemit të funksionimit të doganave në veri të vendit, të cilat javët e fundit edhe ishin në qendër të trazirave në veri.
Top Channel