Në vitin 2012 perspektiva evropiane e Kosovës pritet të marrë formë konkrete përmes fillimit të studimit të fizibilitetit dhe proçesit të liberalizimit të vizave. Kështu mendojnë ministrja për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku dhe ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi.

Në një konference të përbashkët për shtyp, të dy ministrat theksuan se në vitin e ardhshëm kosovarët do të mund të shëtisin lirshëm në hapësirën evropiane.

“Proçesi i liberalizimit të vizave nuk pres të ketë pengesa politike për shkak të mosnjohjes nga pesë vendet e Bashkimit Evropian. Normalisht, ky proçes në fund fare varet nga disponimi. Përmbushja e kritereve është një gjë, vendimi merret në nivel politik. Mirëpo, nëse shohim politikat e kaluara, pengesat politike asnjëherë nuk kanë prodhuar pasoja për ecjen përpara të këtij procesi”, theksoi Çitaku.

Ndërsa ministri Rexhepi tha se janë në përfundim përgatitjet e raportit që do t’i dorëzohet Komisionit Evropian me 15 shtator lidhur me gjendjen aktuale në përmbushjen e kritereve.

“Mund të themi me optimizëm se deri nga fundi i këtij viti, sa i përket udhërrëfyesit dhe atyre 95 kritereve, kryesisht do të përmbushen. Se kur do të kemi liberalizimin, shpresojmë në vitin e ardhshëm. Njëqind herë kemi shpjeguar deri tani që shtetet që e kanë proçesin e liberalizimit të vizave këtë proçes e kanë filluar para tetë viteve dhe shumica e kanë fituar vitin e kaluar, pra ka kaluar një kohë shtatëvjeçare. Ne në mënyrë vetjake kemi filluar në vitin 2009 me udhërrëfyesin dhe nëse arrijmë deri në vitin e ardhshëm objektivin, i bie se Kosova arrin ta kryejë këtë proçes më shpejt se të tjerët”, deklaroi Rexhepi.

Sipas ministrit Rexhepi, menaxhimi i integruar i Kosovës është funksional në tërë territorin por problemi është në anën e Serbisë. Sipas tij, sikurse demarkacioni i kufirit, ashtu edhe menaxhimi i integruar i kufijve nuk mund të jetë pengesë për liberalizimin e vizave për shkak se faji është Serbia.

Ministri Rexhepi foli edhe për gjendjen në legjislacion, për angazhimet për kthimin e personave që kanë qenë azilkërkues, menaxhimin e emergjencave, angazhimin në luftimin e krimit të organizuar etj.

Kufijtë, Prishtina akuzon Shkupin zyrtar

Pala kosovare akuzon Shkupin zyrtar se po neglizhon në ndërtimin e pikës së përbashkët te kufirit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.

Sipas ministrit të Brendshëm të Kosovës Bajram Rexhepi, përkundër fizibilitetit dhe fondeve të siguruara nga Komisioni Evropian, shteti maqedonas po ngadalëson ndërtimin e pikës së përbashkët, e cila është parashikuar të ndërtohet mes Stançiçit e Bellanofcit.

Rexhepi rithekson se arsyetimi i Shkupit zyrtar është bazuar tek mungesa e asfaltimit të një pjese të rrugës, ndaj pjesa maqedonase ka parapëlqyer që pika të mos jetë funksionale gjatë 24 orëve, por kjo kërkesë është refuzuar nga pala kosovare.

“Këtu ka pasur ngecje pak për shkak të palës maqedonase. Edhe pse është bërë fizibiliteti, janë ndarë mjetet nga Komisioni Evropian, mirëpo arsyetimi i tyre ka qenë se ata kanë një pjesë të rrugës që i mungon, rreth 12 kilometra, dhe kanë tentuar që mos të jetë e kategorisë së parë. Ne kemi kërkuar që ajo të jetë 24-orëshe dhe për qarkullim të mallrave, ndërsa maqedonasit, për shkak të kursimeve ose arsyeve të tjera, kanë insistuar që të jetë e kategorisë B ose C”, deklaroi Rexhepi.

Rexhepi njoftoi se shkak i këtyre mosmarrëveshjeve ndërmjet Prishtinës dhe Shkupit zyrtar është bërë fakti se pala kosovare nuk e ka pranuar opsionin maqedonas dhe tani per tani po zhvillohen bisedime që të gjendet një zgjidhje lidhur me këtë çështje. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA