Turqia do ushtrojë presion ndaj Sirisë

09/08/2011 08:55

Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu do të shkojë në Siri për të
kërkuar dhënien fund të dhunës ndaj protestuesve nga qeveria e
presidentit Bashar al Assad.

Kryeministri turk Tayyip Erdogan më herët deklaroi se po humbiste durimin me “egërsinë” e forcave siriane të sigurisë ndaj protestuesve.

Vizita e zotit Davutoglu vjen kur Arabia Saudite, Kuvaiti dhe Bahreini kanë tërhequr ambasadorët e tyre nga Damasku.

Tanket siriane kanë sulmuar sërish qytetin lindor Deir al Zour të hënën, pas sulmit të ashpër të së dielës, ku mbetën të vrarë të paktën 50 persona.

Aktivistët deklarojnë se ashtu si dhe më parë, njerëzit kanë pasur frikë të linin shtëpitë e tyre ose të conin të afërmit në spital, nga frika se mund të sulmoheshin.

Televizioni shtetëror sirian ka raportuar se presidenti Assad ka emëruar ndërkohë një ministër të ri të Mbrojtjes, ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Dawoud Rajha, në vend të gjeneralit Ali Habib.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta