Tronditja e bursave

09/08/2011 20:00

Tregjet financiare në të githë Europën rekuperuan pak nga humbjet që u shënuan në orët e para të mëngjesit, duke ndjekur rritjen në Wall Street-in amerikan.

Bursa e SHBA-së, Dow Jones, ishte mbi 1.7 %, ndërsa Nasdaq shtoi 3 %.

Shqetësimi mbetet veçanërisht për nivelin e borxhit me të cilin përballen Shtetet e Bashkuara dhe disa ekonomi të eurozonës. Bursa e Londrës, FTSE, u mbyll me 1.9 % pasi shënoi një rënie të menjëhershme me 5.5 %, ajo franceze u rrit me 2 %, ndërsa në Gjermani përfundoi me një rënie më të vogël, 0.1 %.

Ministrja spanjolle e Financave, Elena Salgado, u përpoq të rinënvizonte se vendi i saj nuk ka nevojë për një plan shpëtimi.

Për Presidentin e Bankës Qendrore Europiane, Zhan Klod Trishe, kriza që po kalon zona euro është më e rënda prej Luftës së Dytë Botërore, por mund të kishte qenë edhe më keq nëse s’ do kishte patur një përgjigje nga udhëheqësit europianë.

Duke folur për radion franceze “Europa 1”, nga zyra e tij në Frankfurt, Trishe i kërkoi shefave të eurozonës të bëjnë pjesën që u takon, për t’i dhënë zgjidhjen e duhur kësaj krize.

“Nuk mendoj që fenomeni që ne po vëzhgojmë mund t’i atribuohet një faktori të vetëm. Ka plot faktorë që luajnë një rol, përfshirë edhe përgjigjet pasuese të krizës më serioze që ne kemi patur prej gushtit të vitit 2007. Në total dhe veçanërisht prej Lehman Brodhërs, është kriza më e keqe që prej Luftës së Dytë Botërore. Unë besoj se mund të ishte më e rënda prej Luftes së Parë Botërore, nëse përgjegjësit nuk do të kishin marrë vendimet e rëndësishme”, u shpreh Trishe.

Ai shpjegoi se Banka Qendrore Europiane po blen bonde në tregjet dytësore dhe kjo, sipas tij, është një mënyrë efektive për t’i kthyer stabilitet tregjeve. Nga ana tjetër, tregtarët po kërkojnë ndihmë nga Banka Qendrore amerikane dhe Rezerva Federale, por sipas disa vezhguesve kësaj të fundit i kanë mbetur pak mundësi për të dhënë një zgjidhje.

Tregjet aziatike vazhdojnë të ndjejnë pasoja negative, megjithëse kanë rekuperuar thuajse gjysmën e humbjeve të së hënës. Në kohën e kësaj trazire boterore te tregjeve, kryeministri kinez, Uen Xhiabao kërkoi veprim të shpejtë dhe të menjëhershëm në rang global për të stabilizuar bursat.

Duke folur pas një takimi të qeverisë, ai u kërkoi vendeve të rëndësishëm të zbatojnë politikën e duhur monetare dhe të frenojnë deficitet.

Wall Street mbyllet pozitivisht

Pas disa ditësh me radhë mbylljeje negative dhe djegies së miliarda dollarëve, Wall Street mbyllet pozitivisht.

Kështu Dow Jones u mbyll me +3.91 përqind, Nasdaq +5.32 përqind dhe S&P +4.75 përqind.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA