Obama: Ekonomia do të rimëkëmbet

06/08/2011 08:30

Presidenti amerikan, Barak Obama, ka siguruar botën se ekonomia e
Shteteve të Bashkuara do të rimëkëmbet shumë shpejt dhe se gjërat do të
përmirësohen.

Komentet e Obamës janë vazhdë e zhvillimeve të fundit në tregjet botërore.

“Ajo çfarë duhet të dijë populli i Amerikës dhe partnerët tanë në mbarë botën është kjo: Ne do ta tejkalojmë këtë”, tha Obama.

Aksionet në tregjet financiare evropiane kanë rënë edhe sot për më shumë se 2 për qind, duke pasuar humbjet e ngjashme në tregjet aziatike.

Investitorët janë të shqetësuar për ekonominë amerikane pasi i druhen një recesioni dhe përhapjeje të krizës së borxhit në Itali dhe Spanjë.

Obama telefonon Merkel e Sarkozi

Presidenti amerikan Barak Obama ka biseduar në telefon me kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe presidentin francez, Nikolas Sarkozi lidhur me gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen bursat europiane.

Në njoftimin e shpërndarë nga Shtëpia e Bardhë thuhet se presidenti Obama ka vlerësuar marrëveshjen e 21 korrikut mes lidërve europiane për nxjerrjen nga kriza e borxhit të disa vendeve të eurozonës dhe theksoi nevojën e rëndësinë e zbatimit të plotë të saj.

Borxhi, agjencitë e vlerësimit paralajmërojnë SHBA-në

Agjencia e vlerësimit të kreditimit, Standard & Poor’s njoftoi të premten pasdite administratën Obama se po planifikonte të ulte vlerësimin për borxhin e SHBA-së, që aktualisht qendron në rankun, AAA.

S&P njoftoi se do të dilte në një përfundim po ditën e premte. Megjithatë, agjencia e vlerësimit të borxhit, nuk publikoi vlerësimin e ri për SHBA-në.

Sipas CNN, agjencia është tërhequr nga deklarata e mëhershme pas përplasjes me shifrat që zyrtarë të administratës Obama dërguan për ekspertët e Standard & Poor’s.

Bursat tronditen, liderët e BE-së me pushime

Bursat europiane për të dytën ditë me radhë u mbyllën me humbje dhe pyetja që ka nisur të shtrohet është: ku janë liderët europianë?

Kancelarja gjermane, Angela Merkel po shijon pushimet e saj në Itali, presidenti francez, Nikolas Sarkozi ka udhëtuar në rivierën franceze për të kaluar 3 javë pushime, po ashtu kryeministri italian Silvio Berluskoni është strehuar në vilën e tij jashtë qytetit të Milanos dhe David Cameron në Toskana.

Të vetmit që ndërprenë para kohe pushimet e tyre ishin Komisioneri për Cështjet Monetare në BE, Olli Rehn, kryeministri spanjoll, Zapatero dhe ai portugez Passos Coelho.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA