
Tregjet evropiane kanë rënë sërish ndjeshëm për shkak të krizës së
besimit në aftësinë e liderëve të eurozonës për të trajtuar si duhet
problemet e borxhit.
Kështu, indeksi i bursës britanike FTSE dhe asaj gjermane Dax ra me 2 për qind paraditen e sotme.
Komisioneri evropian për Cështjet Ekonomike dhe Monetare, Olli Rehn deklaroi se këto lëvizje janë “të pajustifikueshme” dhe “të pakuptueshme”.
Gjithashtu, ekzistojnë shqetësime për rimëkëmbjen e dobët ekonomike në Evropë dhe SHBA, ku pritet publikimi së shpejti i shifrave mbi punësimin.
Duke folur për gazetarët, zoti Rehn u përpoq të siguronte tregjet duke thënë se rëniet nuk justifikohen nga bazat e ekonomisë, duke iu referuar në vecanti Italisë dhe Spanjës.
“Vullneti politik për mbrojtjen e euros nuk duhet të nënvlerësohet”, nënvizoi Rehn, duke shtuar se masat për gjallërimin e Fondit Financiar Evropian të Stabilitetit do të vendosen në shtator.
Europa ndodhet tani në mes të një cikloni të ri botëror. Nga 26 korriku bursat në gjithë botën mendohet të kenë humbur 4.6 bilionë dollarë për shkak të turbulencës së re financiare dhe frikës së bota po i drejtohet sërish recesionit. Zoti Reh tha se tani kemi të bëjmë me një situatë globale, e cila kërkon ndërhyrje globale në nivelin e G20 dhe G7.
Top Channel