Ekonomia amerikane drejt recesionit të dytë

05/08/2011 15:00

Në politikën amerikane, Uashingtoni eshte në një gjendje rimëkëmbjeje
pas një beteje të vështirë lidhur me ngritjen e tavanit të borxhit.

Presidenti Barak Obama nënshkroi të martën një kompromis në ligj, duke bërë të mundur që qeveria të marrë më shumë borxhe për të përmbushur detyrimet e saj financiare, në shkëmbim të kërkesave të republikanëve për shkurtime të ndjeshme në shpenzimet qeveritare. Të dyja palët po marrin frymë më lirisht pasi shmangën mos pagimin nga qeveria të borxheve të saj, por siç njofton Zëri i Amerikës një betejë tjetër lidhur mbi madhësinë e qeverisë federale do të zhvillohet pas pak muajsh.

Debati politik lidhur me tavanin e borxhit bllokoi kryeqytetin amerikan për javë të tëra dhe kur u arrit kompromisi shumica e analistëve politikë ishin të një mendimi se kërkesat e republikanëve për të filluar shkurtime drastike të shpenzimeve qeveritare kishin shvendosur qendrën e gravitetit politik në Uashington.

Republikanët mendojnë se janë në pozitë më të favorshme pasi kërkuan shkurtime të mëdha të shpenzimeve, si çmim për ngritjen e tavanit të borxhit. Shumë demokratë janë të shkurajuar dhe ndjehen se bënë lëshime të shumta për sa i përket shkurtimeve qeveritare, madje të zhgënjyer që presidenti Obama nuk luftoi më shumë gjatë negociatave.

Rods Kuk është analist me një përvojë shumë vjeçare në mbulimin e debateve politike.“Mendoj se është turp kur bëhet fjalë për imazhin tonë në botë. Por kjo është mënyra se si ka funksionuar qeveria jonë, veçanërisht gjatë 15 ose 20 vjetëve të fundit. Për të mirë apo për të keq, mes dy partive politike janë shtuar debate të tilla të shoqëruara me rreziqe të mëdha”, tha Kuk.

Nga ana tjetër, çështje të vështira nuk janë lehtë të zgjidhen në një Kongres që përfaqëson dëshirën e një demokracie të madhe e të ndërlikuar, thotë ish ligjvënësi republikan nga Oklahoma, Miki Edwards.

“Ne jemi demokraci e një popullate prej 300 milion banorësh dhe me prejardhje shumë të ndryshme dhe kjo është shumë e rëndësishme. U morën vendime të vështira, duke debatuar hapur. Në fund të fundit, çdo gjë përfundoi mirë. Kjo nuk u arrit menjëherë, por u arrit në kohë që qeveria të vazhdonte pagimin e detyrimeve të saj financiare”, tha Edwards.

Republikanët u ndjenë në pozita të forta pas zgjedhjeve në Kongres të vitit të kaluar kur fituan shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, madje fituan disa vende më shumë në Senatin e kontrolluar nga demokratët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA