
Një gjykatë franceze do të hetojë shefen e re të FMN-së, nën dyshimin e abuzimit me anë të detyrës kur ka qenë ministre e Financave e Francës.
Christine Lagarde akuzohet se ka bërë presion ndaj një banke që të hynte në një gjykim ku po trajtohej cështja e një biznesmeni që ka mbështetur fushatën presidenciale të Nicolas Sarkozy.
Nga ana e saj, zonja Lagarde i hedh poshtë akuzat dhe për momentin nuk ka asnjë të dhënë që ajo të ketë pasur përfitime personale.
Megjithatë, nisja e hetimit vë në siklet figurën e Lagarde, e cila ka më pak se një muaj në krye të FMN-së.
Pas vendimit të gjykatës, një prokuror ka deklaruar se hetimi do të përqendrohet në dyshimet se ministrja ka qenë bashkëpunëtore në keqpërdorimin e fondeve publike.
Lagarde erdhi në këtë detyrë në vend të Dominique Strauss Kahn, i cili u largua pas akuzave të ngritura ndaj tij për një dhunim seksual të mbetur në tentativë.
Top Channel