Egjipt, Mubarak mohon akuzat

03/08/2011 16:35

Ish-presidenti egjiptian Hosni Mubarak ka mohuar akuzat për korrupsion dhe urdhërimin e vrasjes së protestuesve, në seancën e parë gjyqësore të zhvilluar ndaj tij në Kajro.

Ai është sjellë në sallën e gjyqit me një krevat me rrota dhe është futur në një kafaz, për të qenë i mbrojtur nga ndërhyrjet e jashtme.

83-vjecari po gjykohet nga drejtësia egjiptiane bashkë me djemtë e tij, të cilët mohojnë gjithashtu akuzat, me ish-ministrin e Brendshëm Habin al Adly dhe 6 ish-zyrtarë të tjerë.

Mubarak u detyrua të linte pushtetin nga demonstratat masive popullore që u zhvilluan në shkurt. Akuza për urdhërimin e vrasjes së protestuesve parashikon dënimin me vdekje.

Rreth 3 mijë ushtarë dhe agjentë policie ishin vendosur për të ruajtur sigurinë jashtë ndërtesës ku po zhvillohej gjyqi, seanca tjetër e të cilit do të mbahet më 15 gusht. Ndërsa seanca ndaj ish-ministrit Al Adly dhe gjashtë ish-zyrtarëve të tjerë do të rifillojë të enjten.

Gjyqi ndaj Mubarak ishte parashikuar të bëhej në gjykatën e Kajros, por autoritetet e zhvendosën në një sallë të përkohshme në akademinë e policisë, për arsye sigurie.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA