Parlamenti i Serbisë, pas disa orë debatesh, miratoi deklaratën për Kosovën, përmes të cilës dënon të gjitha llojet e dhunës, bën thirrje për një zgjidhje paqësore të krizës të shkaktuar nga veprimet e njëanshme të Prishtinës si dhe kërkon vazhdimin e dialogut.
Nga 207 deputetët, 181 votuan pro deklaratës, 20 të tjerë kundër, mes tyre edhe deputeti i vetëm shqiptar Riza Halimi, 4 abstenuan dhe dy deputetë nuk morën pjesë në votim. Pak para miratimit të saj, deputetëve iu drejtua presidenti serb, Boris Tadiç, i cili e quajti situatën në Kosovë të vështirë dhe dramatike, si çdo konflikt tjetër në Ballkanin Perëndimor, i cili mund të rritet e të çojë në dhunë e viktima.
Deklarata, e propozuar nga Partia Demokratike e Serbisë, nënvizon gjithashtu edhe detyrimin e qeverisë për t’i kërkuar misionerëve ndërkombëtarë në përputhje me mandatin e tyre dhe kornizën e vendosur nga Rezoluta 1244 për të mos lejuar veprimet e njëanshme të insitucioneve të Prishtinës që rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe mundësinë e gjetjes së një kompromisi si dhe të ndryshojë situatën ekzistuese në terren.
Parlamenti serb kërkon që autoritetet shtetërore të mbrojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin në Serbi dhe të mbrohen interesat e serbëve në Kosovë.
Tensionet nisën të hënën më 25 korrik, kur Kosova dërgoi njësitë speciale të policisë në pikat kufitare në veri, ku punojne kryesisht serbë, për të vënë në zbatim bllokadën e importeve nga Serbia. Kjo ishte kundërpërgjigja e Prishtinës ndaj Beogradit, i cili bëri të njëjtën gjë me eksportet kosovare, pas konfliktit për vulat doganore.
NATO dërgoi trupat paqeruajtëse për t’i bërë ballë dhunës, gjatë të cilës u vra një polic shqiptar si dhe iu vu flaka njërës prej pikave kufitare.
Top Channel