Në pjesën veriore të Kosovës nata e mbrëmshme ka qenë e qetë dhe deri në këto momente nuk ka patur ndonjë incident.
Por, rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinje të Leposaviçit dhe Bërnjak të Zubin Potokut vazhdojnë të mbahen të bllokuara nga serbët.
KFOR-i, sipas informacioneve, ende nuk ka tentuar të largojë bllokuesit e rrugëve, pavarësisht paralajmërimeve të komandantit të KFOR-it, Erhard Byhler, se herën tjetër do të kalojnë qoftë edhe me dhunë. Siç po përflitet, serbët kanë formuar “Shtabin e Krizës”, i cili ka urdhëruar serbët që të bëjnë roje rrugët e bllokuara, për femrat do të jetë 4 orë, ndërsa për meshkujt 6 orë.
Qarkullimi i mallrave nga këto dy pika kufitare që e lidhin Kosovën me Serbinë është ndaluar dhe ato janë nën kontrollin e ushtarëve të KFOR-it që kur të mërkurën në mbrëmje pikës kufitare në Jarinje iu vu flaka nga ekstremistë serbë.
Në këto pika kufitare, përveç ushtarëve të KFOR-it, sipas zëdhënëses së Policisë së Kosovës, Sabrie Kamberit, vazhdojnë të qëndrojnë zyrtarë te Policisë Kufitare të Kosovës dhe doganierët.
Tashmë KFOR-i hapësirën përreth e ka shpallur zonë ushtarake, ku mund të përdoren edhe armët vdekjeprurëse në rast të paraqitjes së nevojës.
Top Channel