Ashtu siç parashikohej, Senati nuk kaloi planin republikan për rritjen e tavanit të borxhit, të paraqitur nga kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Xhon Bejnër.
Të premten në mbremje shumica republikane e Dhomës e miratoi me 218 vota pro, 210 kundër, mes të cilëve edhe 22 republikanë. Projekt/ligji për të cilin republikani Bejnër kishte gjetur me vështirësi mbështetjen e rrymës më konservatore të partisë së tij u bllokua në Senatin me shumicë demokrate, dy orë pas votimit në Dhomën e Përfaqësuesve.
Kjo nuk ishte e papritur. Presidenti amerikan, Barak Obama, deklaroi më herët që projekt/ligji nuk kishte asnjë shans për tu shndërruar në ligj duke bërë thirrje për mirëkuptim.
Ai u kërkoi demokratëve dhe republikanëve të punojnë me seriozitet për arritjen e një kompromisi. Përmes një deklarate, Shtëpia e Bardhë kërkon që demokratët dhe republikanët të punojnë bashkë për një ligj që të miratohet nga Kongresi dhe që Presidenti ta miratojë të martën”.
Zhvillimet nuk po shkojnë në drejtimin e një marrëveshjeje për të larguar rrezikun e falimentimit. Plani i Bejnërit parashikonte 900 miliardë dollarë të reduktimit të shpenzimeve dhe do të ngrejë tavanin e borxhit me të njëjtën vlerë.
Nga ana tjetër, demokratët përgatiten për të votuar propozimin e kreut të shumicës, demokratit Herri Rid, por votimi është parashikuar mbrëmjen e së shtunës. Sipas analistëve edhe “Plani Rid” zor se do të aprovohet. Ai parashikon uljen e defiçitit me 2.2 bilionë dollarë dhe rritjen e tavanit të borxhit me 2.7 bilionë dollarë.
Afati i fundit për Shtetet e Bashkuara është 2 Gushti. Qeveria amerikane do të mbetet pa para për të paguar faturat derisa të rritet kufiri i huasë që aktualisht është 14.3 bilionë dollarë.
Top Channel