Parlamenti serb zhvilloi një seancë të jashtëzakonshme për situatën e tensionuar në Kosovë.
Deputetët serbë pritet të mbështesin deklaratën për të ushtruar presion ndaj Prishtinës si dhe të nënvizojnë të drejtën territoriale të Serbisë.
“Situata në Veri të Kosovës dhe në Kosovë, është shumë komplekse me shumë gjasë për t’u shndërruar në një dramë. Besoj se do te kemi mbështetje te gjere per deklaraten”, u shpreh Nada Kolundzija, deputete e Partisë Demokratike të Serbisë.
Në deklaratën e propozuar nga Qeveria e Serbisë shprehet gatishmëria që Serbia të kontribuojë për zgjidhjen paqësore të kësaj çështjeje në bazë të “normave ndërkombëtare të së drejtës dhe Kushtetutës së saj”.
Në seancën parlamentare merr pjesë presidenti serb, Boris Tadic, kryeministri serb, Mirko Cvetkovic, si dhe ministrat të tjerë të Serbisë. Shefi i ekipi negociator serb, Borko Stefanoviç, vlerësoi se situata në Kosovë “është dramatike”, ndërsa u kërkoi deputetëve të jenë njëzëri në aprovimin e tekstit të deklaratës.
Për ministrin serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç, KFOR-i “ka dalë nga korniza e Rezolutës 1244 dhe ka marrë pozicionin e Prishtinës”.
Tensionet nisën të hënën më 25 korrik, kur Kosova dërgoi njësitë speciale të policisë në pikat kufitare në veri, ku punojnë kryesisht serbë, për të vënë në zbatim bllokadën e importeve nga Serbia. Kjo ishte kundërpërgjigja e Prishtinës pasi Beogradi bëri të njëjtën gjë me eksportet kosovare pas konfliktit për vulat doganore.
NATO dërgoi trupat paqeruajtëse për t’i bërë ballë dhunës gjatë të cilës u vra një polic shqiptar si dhe iu vu flaka njërës prej pikave kufitare.
Top Channel