Votimi mbi propozimin e republikanëve për të ngritur tavanin e borxhit amerikan kundrejt shkurtimit të shpenzimeve duke shmangur kështu “default”-in është shtyrë përballë rezistencës së konservatorëve.
Kryetari i Dhomës, John Boehner dhe liderët republikanë janë përpjekur të bindin ligjvënësit amerikanë për të votuar për planin në fjalë.
Por plani është pothuajse e sigurtë që do të dështojë duke qenë se shumica e Senatit është demokrate dhe pasi presidenti Barack Obama ka paralajmëruar vendosjen e vetos.
Kongresi duhet të ngrejë tavanin e borxhit të Shteteve të Bashkuara brenda së martës së ardhshme.
Departamenti amerikan i Thesarit ka paralajmëruar qeverinë se do të mbetet pa të ardhura për të paguar detyrimet e saj nëse kufiri i borxhit prej 14.3 trilionë dollarësh nuk ngrihet në fillim të javës së ardhshme.
Vota mbi planin e zotit Boehner u shty për disa orë, pasi ky i fundit dhe njerëzit e tij u përpoqën të fitonin mbështetje në radhët e republikanëve konservatorë.
Top Channel