Komandanti ushtarak i rebelëve libianë që luftojnë për të rrëzuar regjimin e kolonelit Muammar Gaddafi është vrarë, ka bërë të ditur Këshilli Kombëtar i Tranzicionit.
Kreu i Këshillit, Mustafa Abdul Jalil ka deklaruar se gjenerali Abdel Fattah Younes mbeti i vrarë në një kurth dhe se drejtuesi i grupit përgjegjës për atentatin është arrestuar.
Më herët gjenerali Younes ishte thirrur nga Këshilli për t’u pyetur mbi operacionet ushtarake, por ky takim nuk u zhvillua kurrë.
Lajme të pakonfirmuara flasin se gjenerali dyshohej se kishte vendosur kontakte sekrete me trupat e Gaddafi-t, nga qeveria e të cilit ishte shkëputur pak kohë më parë.
“Me gjithë trishtimin unë ju njoftoj ndarjen nga jeta të Abdel Fattah Younes, komandanti në krye të trupave tona rebele”, ka njoftuar Jalil.
“Personi që kreu vrasjen është arrestuar”, ka shtuar ai, por pa publikuar identitetin e personit në fjalë dhe motivet e tij.
Ende nuk dihet me saktësi vendi ku u krye sulmi. Korrespondentët deklarojnë se Younes nuk gëzonte besimin e të gjithë rebelëve për shkak të rolit të tij të mëparshëm në shtypjen e disidentëve.
Top Channel