Veprimtari Adem Demaci ka akuzuar misionin EULEX se po mban anën e Serbisë, duke dëmtuar kështu shtetin e ri të Kosovës.
“EULEX po përpiqet të luajë rolin e neutralit në Kosovë, por faktikisht po mban anën e Beogradit dhe kjo është e dëmshme për Kosovën”, ka deklaruar Demaci.
Në një intervistë për gazetën “Epoka e Re”, Demaci ka komentuar ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, ku ka mbështetur operacionin e qeverisë, por ka kritikuar fazën e tërheqjes së forcave speciale.
“Ne shkuam atje, por u tërhoqëm atëherë kur nuk duhej të tërhiqeshim. Në vend që të dërgonim më shumë forca, ne u tërhoqëm dhe serbët dogjën pikën kufitare”, ka pohuar Demaci.
Në këtë mënyrë, është shprehur ai, pikat kufitare kaluan nën kontrollin e trupave të huaja dhe qeveria e Kosovës humbi autoritetin e saj.
“U bë pikërisht ajo që kërkoi Serbia, të kthehej gjendja e mëparshme”, ka nënvizuar veprimtari i njohur, i cili ka vlerësuar unitetin politik të treguar në Kosovë në këto momente.
Top Channel