Në Norvegji do të mbahen sot ceremonitë e para mortore të 76 viktimave të tragjedisë së Oslos dhe asaj të Utojas, më 22 korrik.
Kur është bërë fiks një javë nga masakra, flamujt në Norvegji do të mbahen në gjysmështizë në të gjithë vendin, për të kujtuar viktimat e Anders Behring Breivik.
Mes ceremonive të para do të jetë ajo e një vajze me origjinë kurdo-irakene, Bano Rashid, 18 vjec, në praninë e ministrit të Jashtëm norvegjez, Jonas Gahr Stoere.
Ndërkohë, autori i sulmeve, Anders Behring Breivik është dërguar mëngjesin e sotëm në drejtorinë e përgjithshme të policisë së Oslos, për një tjetër marrje në pyetje.
Breivik është transferuar në zyrat e policisë nga burgu i sigurisë së lartë të Ilas, me një automjet me xhama të zinj, i shoqëruar nga disa autoblinda.
Policia norvegjeze deklaroi dje se marrja e re në pyetje bëhet pasi janë zbuluar detaje të tjera mbi ngjarjen tragjike të së premtes.
Top Channel