James Murdoch mbetet president i platformës satelitore BSkyB, pasi është votuar unanimisht nga këshilli i administratës së kompanisë.
Lajmin e bën të ditur agjencia e njohur Bloomberg, e cila iu referohet burimeve të afërta me të birin e manjatit australian, Rupert Murdoch.
Rizgjedhja e James Murdoch ishte vënë në dilemë pas përhapjes së skandalit të përgjimeve nga gazetat në pronësi të tij, por votimi i sotëm hoqi cdo dyshim.
Por skandali i përgjimeve ku ishte përfshirë gazeta më e madhe në Mbretërinë e Bashkuar, “News of the World”, bëri që Murdoch të hiqte dorë nga blerja e të gjitha aksioneve të BSkyB.
E përjavshmja kishte përgjuar përmes një detektivi privat mesazhet e celularit të një adoleshenteje të vrarë dhe bisedat e familjarëve të viktimave të sulmeve të 7 korrikut 2005 në Londër.
Gjithashtu, ndaj saj është hapur edhe një hetim në Shtetet e Bashkuara, pasi FBI dyshon se redaktorët kanë urdhëruar përgjimin e familjarëve të viktimave të sulmeve të 11 shtatorit.
Top Channel