Policia në Norvegji ka ndërprerë kërkimet për viktima të tjera në masakrën e 22 korrikut në ishullin Utoja.
Policia ka bërë gjithashtu të ditur se do të marrë sërish në pyetje ditën e premte autorin Anders Behring Breivik, pasi ka marrë shumë informacione të reja lidhur me ngjarjen tragjike të së premtes.
Policia pritet gjithashtu të bëjë publikë emrat e tjerë të personave që kanë humbur jetën nga dy sulmet, përvec 17 të tjerëve që janë publikuar deri tani.
Shumë nga personat e vrarë ishin adoleshentë të cilët merrnin pjesë në një tubim rinor të Partisë Laburiste të drejtuar nga kryeministri Stoltenberg.
Policia ndërkohë po ekzaminon videon e kamerave mbikëqyrëse, që tregojnë Breivik në lagjen e ndërtesave qeveritare në Oslo, pak minuta para se makina-bombë të shpërthente.
Megjithatë, burime policore kanë deklaruar për “Aftenposten” se analiza e plotë e pamjeve mund të kërkojë disa javë.
Ndërsa kryeprokurori norvegjez, Tor Aksel Busch ka deklaruar se padia ndaj të pandehurit mund të mos jetë gati brenda këtij viti. Sipas tij, shpresohet që gjyqi të mund të mbahet vitin e ardhshëm.
Top Channel