Kryeministri norvegjez, Jens Stoltenberg ka deklaruar se vendi i tij nuk do të ndihet i frikësuar apo i kërcënuar nga sulmet e ditës së premte.
“Dhuna ka si synim të përhapë panik, por norvegjezët do të mbeten të fortë për të mbrojtur vlerat tona”, ka deklaruar Stoltenberg.
Kryeministri ka njoftuar gjithashtu ngritjen e një komisioni të posacëm për 22 korrikun, për të hetuar atentatet, njëri me bombë dhe tjetri me armë zjarri.
Bomba që shpërtheu në kryeqytetin Oslo kishte si objektiv ndërtesa të lidhura me qeverinë laburiste norvegjeze.
Ndërsa të shtënat me armë zjarri në ishullin e vogël Utoja kishin si shënjestër kampin vjetor të forumit rinor të Partisë Laburiste.
Autori i sulmit, Anders Behring Breivik ka deklaruar se kishte dashur t’i shkaktonte një dëm sa më të madh kësaj partie, që sipas tij dështoi në frenimin e flukseve të emigracionit.
Ndërkohë, dy varka policie vazhdojnë kërkimet për viktimat në ujërat e liqenit përreth ishullit Utoja. Vetë policia ka njoftuar se shumë sende personale janë gjetur në fund të liqenit.
Top Channel