Tjetër akuzë për vrasësin

26/07/2011 23:15

Policia norvegjeze mendon të ngrejë një tjetër akuzë kundër Anders Behring Breivik, autorin e ngjarjeve në Oslo dhe Utoja, ku humbën jetën 76 persona.

Sipas prokurorit Kristian Hatlo, i cituar nga gazeta“AftenPosten”, kjo do të mbështetet në një normë të re të kodit penal, e cila parashikon dënimin me 30 vjet burg, ndërsa akuza e mëparshme për terrorizëm ishte 21 vjet heqje lirie.

Hatlo i tha të përditshmes norvegjeze se akuzat e reja që do të ngrihen mbi ligjin e 2008, mbetet e vetmja mundësi. Ndërsa avokati i tij, në një konferencë për shtyp, tha se e gjithë çështja tregon se klienti i tij është i papërgjegjshëm, por është ende herët për të kërkuar shpalljen e saj.

Anders Behring Breivik, 32 vjeç, nuk është inkriminuar zyrtarisht, megjithëse pranoi se është ai autori i sulmit me bombë në Oslo, ku humbën jetën 8 persona dhe atë në kampin e Utojas, ku ekzekutoi 68 të rinj. Ndërkohë, forcat e rendit vazhdojnë të mendojnë se Breivik ka vepruar i vetëm dhe jo në bashkëpunim me dy celula të tjerë.

Një burim i afërt me grupin hetimor tha për mediat se “i akuzuari nuk mund të besohet lehtë, veçanërisht sa i takon pohimit të tij për bashkëpunimin me dy organizata të tjera. Megjithatë, askush nuk mund të përjashtojë që mund të jenë edhe të vërteta”.

Në dyshim është vënë edhe çfarë është shkruar në manifestin e tij “2083, deklarata europiane e pavarësisë” ku ai flet për kryqëzaten kundër islamit dhe marksizmit, që sipas ekspertëve norvegjezë është frut i fantazisë së një personi me probleme psikike që kërkon të turbullojë ujërat.

Pas kritikave për përgjigjen e ngadaltë në kampin e Utojas, ministri i drejtësisë, Knut Stor Berget, vlerësoi punën fantastike të bërë nga policia.

Qirinj e pishtarë u ndezën mbrëmjen e së hënës në Oslo ku u mblodhën 250 mijë persona. Tabloidi Dagbladet publikoi fotot e tyre. Fytyra të qeshura, këmisha e veshje të modës, mbiemra skandinavë, por edhe emigrantësh.

Mes viktimave është dhe emri i vajzës kosovare, 17-vjeçares Lejla Selaci.

Për kryeministrin Jens Stoltenberg “një pjesëmarrje e tillë nuk bën gjë tjetër veç konfirmon demokracinë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA