Viktimat, kërkime me nëndetëse

24/07/2011 09:55

Policia norvegjeze po përdor nëndetëse të vogla për të kërkuar trupat e humbur të personave që u futën në liqen, në tentativë për t’i shpëtuar atentatit me armë zjarri të së premtes në ishullin Utoja.

Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet lokale. Ndërkohë, personi i dyshuar si autor i dy sulmeve ka bërë të ditur përmes avokatit të tij se pranon përgjegjësinë.

“Ai mendonte se ishte e tmerrshme të kryeje akte të tilla, por në mendjen e tij ato ishin të nevojshme”, ka deklaruar avokati Geir Lippestad.

Klienti i tij Anders Behring Breivik akuzohet për kryerje të akteve terroriste dhe pritet të dalë në sallën e gjyqit ditën e hënë, kur gjyqtarët do të vendosin që ai të mbahet në gjendje burgimi derisa të kryhen hetimet.

I dyshuari raportohet se ka pasur lidhje me ekstremistë të krahut të djathtë. Foto të tij, i veshur me një xhup dhe me një armë automatike në dorë, u shfaqën në një video 12-minutëshe që përmbante thirrje anti-myslimane, e cila u transmetua në You Tube dhe identifikohej me titullin “Kalorësit Templarë 2083”.

Ndërkohë, një dosje me 1500 faqe e shkruar në anglisht dhe që thuhet se është hartuar nga Breivik, e postuar me pseudonimin Andrew Berwick, është transmetuar gjithashtu online disa orë pas sulmeve, ku thuhej se atentatet përgatiteshin prej vitesh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA