Personi i akuzuar për masakrën në ishullin norvegjez të Utojas dhe për bombën në ndërtesën qeveritare në Oslo ka pranuar përgjegjësinë.
Lajmin e bëjnë të ditur avokatët e tij. Anders Behring Breivik, i ka përshkruar veprimet e tij si “të frikshme por të domosdoshme”.
Ai ka bërë gjithashtu të ditur përmes përfaqësuesëve të tij ligjorë se do të japë sqarime mbi veprimet e tij ditën e hënë në gjykatë.
Të paktën 85 persona humbën jetën kur personi i armatosur qëlloi si i cmendur ndaj disa të rinjve që po merrnin pjesë në një tubim elektoral në ishullin Utoja, pak orë pasi bomba e shpërthyer në Oslo u kishte marrë jetën 7 personave.
Ndërkohë që e gjithë Norvegjia mbante zi për viktimat, policia ka vazhduar të kërkojë personat e humbur.
Katër persona që ndodheshin në ishullin e masakrës nuk janë gjetur ende dhe mendohet se mund të jenë mbytur në liqen, në tentativë për t’u shpëtuar plumbave.
Në Oslo, policia tha se numri i viktimave mund të rritet edhe më tej pasi trupa, ose pjesë trupash janë gjetur në ndërtesat e dëmtuara nga bomba.
Policia ka thënë gjithashtu se një person tjetër mund të jetë përfshirë në sulmet e së premtes, të cilat ndodhën pak orë nga njëra-tjetra.
Top Channel