Përgjimet, të tjerë në skandal

23/07/2011 20:05

Një ish-gazetar i ‘Daily Mirror’ pretendon se ‘News of The World’, nuk ishte gazeta e vetme britanike e përfshirë në përgjimet e paligjshme të telefonave celularë.

45-vjeçari James Hipwell pretendon se kjo praktikë ilegale kishte marrë trajtat e një epidemie gjatë viteve 1998-2000, periudhë kur punonte për ‘Daily Mirror’ nën drejtimin e Piers Morgan, gazetari që zuri vendin e Larry King-ut pas tërheqjes nga CNN.

Hiwpell rrëfen se i ka parë reporterët e tjerë të përgjojnë rregullisht mesazhe zanore ndërsa punonte krah tyre në sektorin e ekonomisë pranë kësaj gazete.

“Ti thjesht e kupton dhe e di se çfarë bëjnë njerëzit përqark teje”, tha ai për gazetën ‘The Independent’.

“Ata marrin një person të famshëm në telefon dhe kur pergjigjet, ia mbyllin. Në këtë pikë, një tjetër telefon ndërhyn e përgjon sekretarinë e tyre telefonike, e kam parë shpesh një gjë të tillë”, shton Hipwell.

45-vjeçari shprehet i gatshëm të dëshmojë për këto pohime të tij edhe përpara komisionit që merret me hetimin e skandalit të përgjimeve, të ngritur me urdhër të kryeministrit David Cameron e të drejtuar nga lord Brian Leveson.

Hipwell tregoi për ‘The Independent’ se vdekja e gazetarit Sean Hoare, ish-punonjës i ‘News of The World’, luajti një rol kyç në vendimin e tij për të dalë tani me këtë rrëfim. Hoare, i cili u gjet i vdekur të hënën në shtëpinë e tij, ishte njeriu që zbuloi në sytë e të gjithëve skandalin e përgjigjmeve të tabloidit të Rupert Murdoch.

“Ai ishte një njeri i mirë, por u trajtua me përçmim. Ishte i vetmi që pati kurajon të dalë të tregojë se çfarë ndodhte në atë redaksi”, ka thënë Hipwell.

Botuesja e ‘Daily Mirror’, Trinity Mirror, i ka hedhur poshtë si të pavërteta pretendimet e 45-vjeçarit të pushuar nga puna në vitin 2000, pas akuzave se blinte aksione përpara se të publikonte në gazetë shkrime që kishin të bënin me bursën.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA