Për të dytën herë brenda një jave, Pekini ka ngritur zërin kundër Shteteve të Bashkuara, tone që Shtëpia e Bardhë, thonë mediat, nuk i kujtonte që prej luftës së ftohtë. (UPDATE)
Ato i referohen së pari miliarda dollarëve në bono thesari që ka blerë nga Amerika e që rrezikohen prej mosarritjes së marrëveshjeve mbi borxhin, që mund të mos lejojë amerikanët të paguajnë detyrimet e tyre.
Së dyti, në atë që konsiderohet sfidë për kreditorët kineze, presidenti Obama nuk e mori parasysh kërkesën e Ministrisë së Jashtme të Republikës Popullore për të tërhequr menjëherë ftesën drejtuar Dalai Lamës, për një takim gjysmëorësh në Map Room, jo në dhomën Ovale të rezervuar krerëve të shteteve.
Për Pekinin, ky takim ishte një hap që dëmton marrëdhëniet e tij me Uashingtonin. Zyrtarët amerikanë e njoftuan vetëm pak orë përpara zhvillimin e një bisede të tillë, që sipas tyre, thekson mbështetjen e presidentit Obama për ruajtjen e identitetit fetar, kulturor dhe linguistik, si dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Tibet.
Për të minimizuar ekon e këtij eventi, media u mbajt larg. Shkurtin e vitit 2010, kur u mbajt takimi i parë mes Obamës dhe njeriut më të urryer prej qeverisë kineze, presioni i Kinës ishte i tillë sa lideri shpirtëror tibetian u largua nga Shtëpia e Bardhë nëpërmjet një daljeje dytësore, duke kaluar pranë koshave te mbeturinave në kuzhina.
Edhe këtë herë reagimi i Pekinit ishte i ashpër. Ajo akuzoi Shtetet e Bashkuara se po i dëmtonte marrëdheniet dypaleshe, në një kohë kur të dy vendet janë përpjekur prej kaq kohësh të ndërtojnë relata më miqësore dhe të qendrueshme.
Top Channel