Pas refuzimit nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, EULEX do të provojë një rrugë tjetër që të bindë Kuvendin për të nxjerrë një rezolutë që të pyesë Gjykatën Kushtetuese për imunitetin e deputetëve.
Misioni i Bashkimit Europian në Kosovë nuk ka hequr dorë nga kërkesa që Parlamenti të aprovojë një rezolutë, me të cilën do të autorizohej qeveria për të kërkuar një opinion nga Gjykata Kushtetuese lidhur me imunitetin e deputetëve.
Këtë kërkesë tani EULEX do t’ua dërgojë grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës, ka bërë të ditur një burim ndërkombëtar, i cituar nga gazeta kosovare “Express”.
“Secili grup parlamentar do të pyetet nëse përkrah një rezolutë të tillë”, ka deklaruar burimi, i cili ka preferuar të ruajë anonimatin.
EULEX do t’i kthehet këtij opsioni pasi kryeparlamentari Jakup Krasniqi refuzoi të merret me këtë cështje me arsyetimin se është në kundërshtim me Kushtetutën.
Krasniqi ka sugjeruar që për secilin deputet, për të cilin drejtësia ka nevojë ta zhveshë nga imuniteti, duhet të ketë kërkesë nga prokurori publik dhe vetëm atëherë ai do ta fusë atë cështje në rend dite të legjislativit.
Top Channel