Secili qytetar i Kosovës që do të ulet në karrigen e presidentit mund të kandidojë për këtë post, por fillimisht i duhet të sigurojë numrin prej 10 deri në 15 mijë nënshkrime të qytetarëve.
Për president mund të kandidojnë edhe përfaqësuesit e partive politike, për të cilët ende nuk janë përcaktuar kushtet. Pra, komisioni nuk e ka përkufizuar nëse qytetarët dhe përfaqësueist partiakë do të kenë mundësi të barabarta kandidimi. Kryetari i Komisionit për ndryshimet e Kushtetutës, Arsim Bajrami, publikoi konkluzionet e para që kanë të bëjnë me ndryshimin e kaptinës së presidentit në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Kemi arritur konsensus për mënyrën e zgjedhjes së presidentit dhe jemi marrë vesh që presidenti të zgjidhet në dy rrathë votimi. Në rrethin e parë për president do të konsiderohet personi që ka marrë një më tepër se gjysma e trupit elektoral, kurse në rrethin e dytë president konsiderohet president që ka marrë shumicën e votave e elektoratit që voton”, u shpreh Bajrami.
Nisur nga përvoja e Kosovës me presidentët të cilët kanë bërë shkelje kushtetutese, komisioni sjell risitë e para përsa i përket mënyrës së largimit të presidentit nga detyra në rast se bën shkelje kushtetutese. Në një rast të tillë është menduar që të ketë zëvendës president apo numri një i shtetit sërish të zëvendësohet me ushtrues detyre.
“Risia kryesore është rregullimi i procedurës së shkarkimit të presidentit në rast të shkeljes së Kushtetutës, të vetmen kompetencë që ia kemi dhënë me 61 vota të bëjë akuze dhe akuza do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, e cila pastaj do të vendosë a është shkelur apo jo Kushtetuta.
Kryetari për ndryshimin e Kushtetutës, Arsim Bajrami, tha se komisioni do të kërkojë nga Parlamenti mandatin për ndryshimin e Kushtetutës në segmentet e përfundimit të pavarësisë së mbikqyrur duke hequr kështu kompetencat ekzekutive të ndërkombëtareve të njohura me Kushtetutë.
Kjo, sipas Bajramit, do të ishte hapi i parë drejt bërjes së Kosovës shtet me sovranitet të plotë. Sa iu përket ndryshimeve kushtetutese në zgjedhjen e presidentit, ato do të kalojnë ne një debat me qytetarë në qytetet kosovare për tu prezantuar dhe miratuar në kuvend në janar të vitit 2012.
Top Channel