Kryeparlamentari Jakup Krasniqi i është kundërpërgjigjur ambasadorit amerikan në Kosovë, Christopher Dell.
Sipas tij, “Krasniqi ka zgjedhur të sfidojë komunitetin ndërkombëtar, miqtë më të mirë të Kosovës, në emër të mbrojtjes së një apo dy miqve”.
Nga Brukseli, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, Krasniqi ka deklaruar për Top Channel se, asnjëherë në angazhimin e tij nuk e ka penguar komunitetin ndërkombëtar, madje është i bindur që në këtë rast është në mbrojetje të demokracisë dhe Kushtetutës së Kosovës.
“Unë jam i bindur se në asnjë veprim timin, në asnjë angazhim timin nuk e kam penguar komunitetin ndërkombëtar, përkundrazi e kam falendëruar dhe e kam mbështetur. Në fund të fundit ne kemi mësuar nga ShBA-të dhe Bashkimi Europian për ta respektuar demokracinë, për ta njohur demokracinë, për ta respektuar dhe ruajtur si sytë e ballit Kushtetutën dhe ligjet në Kosovë, për t’i respektuar procedurat demokratike. Dhe në këtë rast unë jam i bindur që qëndroj në mbrojtje të demokracisë, në mbrojtje të fjalës së lirë, në mbrojtje të rendit dhe të ligjit, në mbrojtje të Kushtetutës së Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi.
Sipas tij, këtë Kushtetutë dhe ligjin për deputetë e kanë punuar së bashku me ekspertë të SHBA-ve, Bashkimit Europian dhe të Kosovës.
Kjo situatë ka bërë që Krasniqi me dëshirë të shkojë në Bruksel. Ai tha se ka njoftuar zotin Kukan dhe dy zonjat Doris Pack e Ulrike Lunacek për kërkesën autentike të EULEX-it dhe draft-përgjigjen e tij për këtë kërkesë.
Krasniqi ka thënë nga Brukseli se vazhdon të mbajë qëndrimin e mërparshëm edhe pas deklaratës së ambasadorit Dell.
Ai ka përseritur se për këto kërkesa EULEX-i nuk ka të drejtë t’i drejtohet Kuvendit dhe se për këtë janë institucionet si qeveria, Kuvendi dhe presidenca, që me Kushtetutë mund të kërkojnë cështje të tilla.
“Ne nuk kemi asgjë kundër EULEX-it, por kemi problemin që ërkesa e EULEX-it nuk e ka ndjekur rrugën ligjore që parashikohet me Kushtetutë, me ligjin e deputetëve por edhe me rregulloren e Kuvendit”, ka nënvizuar Krasniqi.
Kërkesa e EULEX-it vjen në një kohë kur ky mision nuk ka mundur të zbatojë një urdhër-arrest ndaj Fatmir Limajt, mbi të cilin rëndojnë dyshime për krime lufte, për shkak të imunitetit që e ka si deputet.
Top Channel