Të jesh femër! Të ndihesh femër! Të kujdesesh për një femër… kjo nuk është aspak e lehtë, madje ka shumë vështirësi, si për vetë femrën, ashtu edhe për bashkëshortin, familjen e po ashtu edhe për mjekun e saj.
Sëmundje të ndryshme si kanceri i gjirit apo i mitrës janë bërë të pranishme në jetën tonë, por në këto raste duhet vepruar me shumë kujdes. Duhet zgjedhur një mjek i specializuar, një staf mjekësor i kualifikuar e së bashku me pajisjet më të fundit të gjenden në një prej spitaleve më të mira siç është “Hygeia” në Tiranë e që në vetvete ky emër do të thotë: SHËNDET!
Por ja çfarë na tregon kirurgia onkoplastike dhe e gjirit, Vania Stafyla, për të dhënat më të fundit për përhapjen e kancerit të gjirit;
“Me statistika është vërtetuar se sëmundja e kancerit të gjirit është shumë e përhapur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europë, kjo sëmundje kap 1 në 9 gra, këto janë të paktën statistikat që ekzistojnë në vendet e sipërpërmendura, janë statistika që ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin, por përsëri mund të themi se një në nëntë gra gjatë jetës së tyre do të kapen nga kanceri i gjirit. Kjo sëmundje kap gratë e moshave të mëdha, por kohët e fundit vihet re se kjo sëmundje shfaqet edhe në moshat e vogla”, shprehet kirurgia.
Dikur ka pasur shumë vështirësi në kurimin e kancerit të gjirit, por sot ajo është e kurueshme madje edhe mund të parandalohet.
“Lidhur me parandalimin e kanceri të gjirit ekzistojnë tre hapa për të bërë diagnostikimin e tij. Hapi i parë është nga vetë gruaja, e cila pas moshës 20 vjeç, duhet të bëjë ekzaminin e gjirit të vet nëpërmjet prekjes, e thënë ndryshe palpimit. Përveç kësaj, gruaja duhet të bëjë mamografinë e cila e ndihmon atë të kapë në një fazë të hershme sëmundjen e kancerit të gjirit. Pas moshës 38-40 vjeç kjo mamografi duhet bërë një herë në vit, ekzistojnë programe kombëtare ku grave të kësaj moshe u krijohet mundësia që një herë në vit të bëjnë diagnostikimin nëpërmjet mamografisë. Dhe e treta është vizita pranë mjekut klinik, pasi nuk mjafton vetëm kontrolli i gruas apo mamografia, por duhet që një herë në vit gratë të bëjnë vizitë tek mjeku, i cili duke parë pamjen e përgjithshme klinike, në kombimin me mamografinë bën gjetjen e nevojshme dhe diagnostikimet e duhura”, shton Vania Stafyla.
Por si veprohet në rastet kur mjeku gjendet para një pacienteje tek e cila është konstatuar kanceri i gjirit. Për këtë na tregon më shumë Helidon Nina, kirurgu onkolog i gjirit në spitalin Hygeia: “Ekzaminimet onkografike janë të nevojshme, veçanërisht për ato femra që kanë probleme.”
Kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Siç thotë obsteter-gjinekolog, Leonidas Papadopoulos, një problem tjetër që ka filluar të përhapet është edhe kanceri në qafën mitrës.
“Kanceri i qafës së mitrës është një nga kancerat më të shpejtë gjinekologjik. Duhet të renditet i treti pas kancerit të gjirit dhe atij të endometrit. Por, kemi arritur rezultate shumë të mira në shoqëritë perëndimore ku gratë që bëjnë Pap-testin ose testin e Papa Nikolaut, arijmë të bëjmë një parandalim ose një diagnostikim të hershëm të kancerit të qafës së mitrës. Theksoj se është mjaft e rëndësishme që kur femrat të kenë kontaktin e tyre seksual duhet të paktën një herë në vit të fillojnë dhe të bëjnë pap-testin dhe pas kësaj mund të bëhet, nëse ndihet e nevojshme, ajo që quhet kolpo-skopi dhe në rastet e nevojshme bëhet edhe biopsia për të nxjerrë rezultatet dhe kjo është ajo që i jep një imazh total mjekut për të kryer depistimet mbi këtë lloj kanceri”, shpjegon dr. Papadopoulos.
Kanceri në qafën e mitrës. Një tjetër problem më shumë për zgjidhje, por mesa duket shkenca dhe teknologjia ecin çdo ditë e më shumë përpara.
“Mund të them se kanceri i organeve gjenitale shërohet pas një eksperience 25-30 vjeçare që kam si mjek onkolog. Mund të them se shërohen të gjitha llojet e kancerave të sistemit gjenital të gruas, por ajo që dua të them është më tepër se sa eksperienca jonë, apo rritja e aftësive tona në trajtimin e kancerit gjenital apo mjetet e fuqishme diagnostikuese që ne kemi në dorë, shkaku kryesor është pasi në shoqëritë e zhvilluara gratë janë të bindura që të paktën një herë në vit duhet të bëjnë vizitë tek mjeku gjinekolog edhe pa patur asnjë shenjë apo simptomë të këtij kanceri. Dhe kjo është arma më e fuqishme, vizita e gruas tek gjinekologu që të kemi diagnostikim të hershëm dhe të bëjmë shërimin e plotë të gruas kur kapet në stadin e hershëm, ne stadin e parë”, nënvizon dr. Thrasivulos Akrivos.
Siç thotë edhe obstetri-gjinekolog Akrivos, femrat duhet të bëjnë diagnostikime të vazhdueshme për të parandaluar problemet dhe për të shmangur operacionet e vështira.
Kujdesi për veten do të thotë edhe kujdes për të tjerët, sepse i kushton më pak dhimbje familjes tënde dhe mbi të gjitha kjo do të thotë: vlerësim për vetveten!
Top Channel