Kosova ka filluar të dënojë të gjithë ata që kanë manipuluar me votën e qytetarëve në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Ndonëse ato kanë përfunduar në dhjetorin e vitit të kaluar, parregullësitë gjatë ditës së zgjedhjeve u kanë nxjerrë punë Gjykatave Komunale.
Sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që prej asaj kohe e deri në fund të muajit qershor, nga 85 cështje janë zgjidhur 31 prej tyre, ndërsa në procedurë për t’u zgjidhur janë 54 të tjera.
Pra, lëndët e zgjidhura përfshijnë 93 persona të dënuar në shkallën e parë, ndërsa 239 të tjerë janë ende në procedurë.
“Kemi të dënuar me burg, me 12 muaj, burg me kusht dhe dënime me gjobë. Disa kanë pranuar fajësinë, ndërsa ka edhe raste që janë në procedura ankimimi. Gjithashtu, ka raste që dënimi me burg është konvertuar me të holla dhe të pandehurit kanë dalë nga burgu”, deklaron Besnik Ramosaj, drejtor i statistikave në Këshillin Gjyqësor.
Siç dihet, sistemi gjyqësor në Kosovë është i stërngarkuar me lëndë të pazgjidhura, por çështjeve që kanë të bëjnë me zgjedhjet e fundit parlamentare u është dhënë prioritet.
Parregullësitë gjatë zgjedhjeve të dhjetorit patën bërë që 3 komuna dhe disa qendra të votimit të shkonin në rivotime.
Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte dhënë urdhër për të rinumëruar me qindra kuti, për shkak të dyshimeve për ndryshim të rezultatit nëpër vendvotime.
Top Channel