Shefi i Eurogrupit Jean-Claude Juncker me një deklaratë në revistën gjermane “Fokus”, shkakton tronditje në skenën politike greke.

Vetëm disa orë pasi Athina mori dritën jeshile për lëvrimin e këstit të pestë nga paketa e ndihmës së BE dhe FMN, politikani nga Luksemburgu ka theksuar se, “sovraniteti kombëtar i Greqisë do të reduktohet në mënyrë drastike”, dhe se, “shteti grek duhet të privatizojë pasuritë e tij shtetërore në atë shkallë, si Gjermania Lindore në fillim të viteve 90”.

Në intervistën që ka si temë programin e privatizimeve që duhet të zbatojë Athina, zoti Juncker thekson se, për shumë vite Greqia ka përfituar nga euro.

“Për fajin e vet, kontrolli i disa gjërave i ka ikur nga duart. Tani që duhet të vendosë rregull në financat e saj, grekët duhet të kuptojnë se kërkohet një përpjekje kolektive. Nuk duhet që t’i fyejmë grekët, por ama duhet t’i ndihmojmë”, shprehet funksionari i lartë europian.

Deklaratat e tij janë konsideruar si tepër cinike nga një pjesë e madhe e shtypit grek, ndërsa qeveria e zotit Papapandreu nuk ka dhënë deri tani asnjë reagim.

Për më tepër, në orët e fundit është publikuar edhe një raport i Komisionit Europian, në të cilin shkruhen qartë kushtet me të cilat partnerët e Greqisë u bindën për të dhënë këstin e pestë prej 12 miliardë eurosh, si dhe vërtetohen ato c’ka ka thënë Juncker, se tani e tutje Greqia do të jetë nën tutelën europiane.

“Cdo ingranazh shtetëror do të lëvizë vetëm nëse do ta aprovojnë kreditorët”, thotë raporti. Do të jenë ata që do të reformojnë ndryshimet në sistemin e tatimtaksave, do të reduktojnë nënpunësit e aparatit shtetëror, do të jenë në krye të komisioneve të privatizimit dhe do të kryejnë testet e rezistencës së bankave vendase.

Pavarësisht se Athina zyrtare e mohon, mediat opozitare vendase theksojnë se Greqinë do ta qeverisin tani e tutje specialistët e huaj europianë që do të mbërrijnë së shpejti në kryeqytetin grek.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA