Bashkimi Europian mundi të sigurojë marrëveshjen e parë mes Prishtinës e Beogradit, pas takimit të 5 të dialogut që nisi 4 muaj më parë me ndërmjetësimin e Brukselit.

“Arritëm 3 marrëveshje sot, për herë të parë në këtë dialog. Dua të përgëzoj zonjën Edita Tahiri dhe zotin Borko Stefanovic, negociuan të dy ekstremisht fort. Marrëveshjet nuk paragjykojnë statusin e Kosovës, Serbia nuk po e njeh dhe Kosova nuk po heq dorë nga statusi i saj”, u shpreh Robert Cooper, kryenegociatori i BE-së.

Palët nuk kanë ndryshuar qëndrim, por BE ndryshon rol, duke bërë jo vetëm “lehtësuesin” e negociatave, por edhe “garantin” për zbatimin e marrëveshjeve që prodhojnë ato.
 
Deri në takimin e radhës, në korrik, duhet gjetur një organ ndërkombëtar (ose institut i tretë akademik) për certifikimin e diplomave kosovare në mënyrë që Serbia t’i pranojë ato siç përcakton marrëveshja.
 
Misioni i BE-së, EULEX , ndihmon Kosovën në kuadër të marrëveshjes së arritur mbi regjistrin civil, duke përfituar në këmbim informacione specifike mbi të dhënat.

“Qëllimi këtu është të krijojmë një regjistër të duhur civil e të besueshëm, që mungon në Kosovë për momentin. Ajo çfarë do të bëjmë ne është që përmes EULEX do të certifikojmë kopje të librave të regjistrit civil që ndodhen jashtë Kosovës dhe informacionin do t’ia transferojmë Kosovës. Një gjë e tillë do të krijonte shumë siguri për njerëzit që jetojnë aty. Një gjë e tillë vë më në vështirësi krimin e organizuar, korrupsionin e vjedhjet e identitetit. Në një periudhë më afatgjatë bën të mundur liberalizimin e vizave”, shtoi Cooper.

Robert Cooper vlerëson se lëvizja e lirë me Serbinë do të realizohet së shpejti. Falë marrëveshjes së arritur për të kaluar kufirin, kosovarët duhet të jenë të pajisur me kartë identiteti si dhe sigurim automjeti e licensë të përkohshme mbi targat, në mungesë të targave të posaçme të Kosovës.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA