Pasi kanë ndaluar lundrimin drejt Gazës të anijes “Guximi i Shpresës”, autoritetet greke e kanë detyruar të ankorohet në portin e Pireut dhe më pas kanë arrestuar kapitenin e saj.
Xhon Klasmir, i cili akuzohet se donte të largohej me anijen që ai drejtonte pa leje nga porti duke vënë në rrezik jetën e pasagjerëve, ka kaluar gjithë natën në një qeli pa krevat deklarojnë pjesëtarët e ekuipazhit.“Guximi i Shpresës” me 36 aktivistë dhe 10 gazetarë amerikanë është një prej dhjetë anijeve të “Flotës së Lirisë 2”, me 350 aktivistë nga 22 shtete të botës, që kërkon të lundrojë për të çuar ndihmë humanitare në Rripin e Gazës, duke thyer në mënyrë simbolike bllokadën izraelite.
Aktivistët që janë kryesisht qytetarë amerikanë janë të vendosur pavarësisht pengesave të qeverisë greke për të çuar misionin deri në fund.
“Ne nuk do të ndalemi. Ne do të shkojnë në Gaza. Nëse jo këtë javë, do të shkojmë javën e ardhshme. Këto praktika frikësimi nuk do të funksionojnë”, shprehet Jane Hirschmann, organizatore amerikane.
“Ndjehemi shumë të fyer nga qëndrimi i qeverisë greke e cila ka pranuar në realitet të sjellë rrethimin e Gazës deri këtu në brigjet greke”, shtoi një aktivist grek.
Nga portet greke do t’i bashkohen “Flotës së Lirisë 2”, pesë anije të tjera, dy në portin e Pireut, dy në Kretë dhe një në Korfuz. Ndalimi i lundrimit të tyre ka ngjallur reagimet e organizatës palestineze Hamas që e ka konsideruar këtë akt si një veprim çnjerëzor që shkel ligjet ndërkombëtare.
“Askush nuk duhet të lejojë Izraelin të detyrojë qeveritë e tjera të bëjnë punët e ndyra që ai dëshiron. Dhe unë jam dakord me faktin se askush nuk duhet të lejojë qeverinë izraelite të transferojë rrethimin e Gazës”, deklaroi Mustafa Barghouti, anëtar i parlamentit palestinez.
Kuarteti i ndërmjetësuesve të paqes për Lindjen e Mesme: OKB, SHBA, BE dhe Rusi, ka kërkuar ditën e shtunë nga të gjitha qeveritë që implikohen në këtë çështje të përdorin presionin tyre për të inkurajuar dhe për më tepër, për të ndaluar lundrimin e flotës së dytë brenda një viti drejt Rripit të Gazës që ndodhet nën bllokadën e Izraelit qysh prej vitit 2007.
Top Channel