Presidenti i Sirisë, Bashar Al Asad shkarkoi guvernatorin e Hamas ku të premten u zhvillua një protestë masive.
Televizioni shtetëror raportoi se Asad firmosi një dekret, duke pushuar nga detyra, Ahmad Kaled Abdel Aziz. Në Mars, ai bëri të njëjtën gjë me guvernatorin e qytetit jugore, Deraa-s pas nisjes së protestave në këtë vend.
Qindra mijëra protestues dolën në rrugët e Hamas pas lutjes së të premtes. Aktivistët për të drejtat e njeriut folën për të paktën 24 persona humbën jetën.
Kreu i Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, Rami Abdel e quajti protestën më të madhe, të zhvilluar në Siri, prej kryengritjes që nisi më 15 mars.
Një prej banorëve i tha BBC-së se qindra mijëra njerëz kërkuan largimin e Asadit dhe rrëzimin e regjimit.
“E gjitha Hama doli në rrugë”- tregoi ai. Hama ishte skenë e kryengritjes së “Vllazërisë Myslimanë” kundër Hafiz Al Asadit, babait të presidentit aktual të Sirisë, në vitin 1982, ku ushtria ndërhyri dhe vrau 10 mijë persona.
Të premten, protesta u shënuan në Damask, kryeqytetin e Sirisë, në Alepo, Latakia dhe Homs. Shumica e të vrarëve janë nga provinca veri-perëndimore e Idlibit, ku ushtarët u përpoqën të shtypnin me forcë protestën.
Aktivistët flasin për 3 milionë protestues në mbarë vendin. Shifrat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, sepse rregjimi i Asadit ka ndaluar hyrjen e gazetarëve të huaj.
Që prej marsit kur vendi u përfshi nga protestat, u vranë të paktën 1350 civile dhe 350 pjesëtarë të forcave të sigurisë.
Top Channel