Autoritetet gjermane dalin me një tjetër teori për origjinën e bakterit vrasës që tronditi Gjermaninë e mbarë Europën.
Burimi i Escherichia Coli-t enterohemorgjik, mund të kenë qenë sipas tyre farat e një bime të importuar nga Egjipti.
Në këtë përfundim ka dalë Instituti Federal Gjerman për vlerësimin e riskut, BfR, i cili konfirmon kështu rezultatet e një studimi të përbashkët të dy qendrave shëndetësore europiane, asaj për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve dhe Atoritetit Europian për Sigurinë e Ushqimit.
Farat e mbërritura nga Egjipti i janë shitur edhe kompanise së Saksonisë së Poshtme, e cila do të kthehej në epiqendrën e sëmundjes, ndërsa mendohet se ato janë fajtorë edhe për rastet e E-Colit të regjistruara në Francë.
Testet ndërkohë vazhdojnë. Egjipti u tregua më i shpejtë se Spanja në rrëzimin e pretendimeve të Gjermanisë për origjinën e epidemisë. Këto janë thjesht supozime pa asnjë bazë shkencore, tha ministri i Bujqësisë Abu Hadeed për të përditshmen vendase “Al ah-Ram”.
Së pari, shprehet ai, tek ne nuk ka pasur asnjë rast të infektimit nga bakteri i gjetur në Europë. Së dyti, të gjitha produktet bujqësore egjiptjane të eksportit i nënshtrohen procedurve të rrepta e të komplikuara përpara se të marrin aprovimin si të përshtatshme për konsum, dhe në një linjë me standartet europiane.
Shkencëtarët mendojnë se bakteri vdekjeprurës qendron nëpër fara dhe rishfaqet kur ato mbijnë. Sipas hetuesve, kontaminimi mund të ketë ndodhur gjatë spërkatjes ose me ujë të papastër, ose me pleh të lëngshëm organik.
Top Channel