Rusia ka kritikuar ashpër Francën për furnizimin me armë të rebelëve libianë dhe ka kërkuar sqarime nga Parisi zyrtar.
“Nëse kjo konfirmohet, përbën një shkelje të rëndë të rezolutës 1970 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka deklaruar ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov.
Veprimi i Francës është kritikuar edhe nga Bashkimi Afrikan, që ka deklaruar se kështu rrezikohet “Somalizimi” i Libisë.
Nga ana e saj, ushtria franceze thotë se ka furnizuar me armë luftëtarët e fisit Berber në malet në jug-perëndim të kryeqytetit Tripoli, për t’u vetëmbrojtur.
Lavrov ka deklaruar se Rusia ka kërkuar zyrtarisht informacion nga Franca për këtë veprim, për të kontrolluar nëse ai përputhet me realitetin.
Moska abstenoi në votimin e mbajtur në mars në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që autorizoi misionin ndërkombëtar në Libi për të mbrojtur civilët.
Top Channel