Kryeministri grek Jorgos Papandreu ka shprehur kënaqësinë e tij që Greqia ka siguruar këstin e pestë të ndihmës financiare, si dhe paketën e dytë të ndihmës prej gati 120 miliard euro nga BE.
Por cdo gjë, ka theksuar Papandreu në konferencën e shtypit pas samitit të Brukselit, do të varet nga aprovimi në parlament i Planit Afatmesëm dhe të ligjit për zbatimin e tij. Megjithëse ende ka deputetë të partisë socialiste të cilët deklarojnë se nuk do të votojnë për miratimin e masave të ashpra financiare, Papandreu është shprehur optimist.
“Është një betejë për popullin grek, betejë për Greqinë, për vendin tonë, por edhe për monedhën tonë të përbashkët euron dhe për një Europë të përbashkët”, tha Papandreu.
Nëse Greqia falimenton, ata që do ta paguajnë më shumë këtë falimentim, do të jenë shtresat e varfëra të popullsisë, ka thënë Papandreu që ka theksuar se qarkullojnë shumë skenarë të rrezikshëm për Greqinë dhe se synimi i parë i qeverisë së tij është shmangia e falimentimit të vendit.
“Dita e vërtetë vendimtare është e marta që vjen. Është një ditë vendimtare për Greqinë dhe për Eurozonën në tërësi. Është më e rëndësishme të shohim parlamentin grek të aprovojë masat e ashpra financiare në mënyrë që të marrë këstin e radhës. Nëse nuk i aprovon, dyert e skëterrës janë të hapura plotësisht”, thotë Robert Halver nga Baader Bank.
Taksapaguesit grekë që kanë parë të ardhurat e tyre të reduktohen deri në 35% brenda një viti, ndërsa inflacioni ngelet përsëri në nivele rekord, ashtu si edhe papunësia, do të përballojnë një valë të dytë masash financiare shumë më të ashpra me Planin Afatmesëm.
Midis të tjerash rritja e cmimit të karburanteve, taksa e vecantë në të ardhurat personale dhe reduktimi prej 400 milion euro i shpenzimeve në sektorin publik, pritet të përkeqësojnë gjendjen ekonomike në vend.
Masat e reja që do aprovojë parlamenti janë pritur me reagime nga sindikatat që kanë shpallur të martën dhe të mërkurën një grevë dyditore në sektorin shtetëror dhe atë privat, ndërsa policia ka marrë masa drakoniane për të shmnagur konfrontimet e dhunshme.
Top Channel