Pas lutjes së të premtes, në Siri kanë rinisur protestat kundër presidentit Bashar Al Asad.
Sipas aktivistëve dhe dëshmitarëve, forcat e sigurisë përdorën gazin lotësjellës dhe qëlluan me armë, në kryeqytetin Damask dhe zona të tjera të vendit. Raportime, të pakonfirmuara flasin për 10 të vdekur.
Siç ka ndodhur dhe në javët e mëparshme, aktivistët, përmes rrjeteve sociale, bënë thirrje për t’ju bashkuar protestës me slloganin “Bashari nuk është më presidenti im dhe qeveria e tij, nuk më përfaqësuan me mua”.
Organizata Arabe e të Drejtave të Njeriut në Siri i tha BBC-së se pesë persona u vranë dhe të tjerë u plagosën, pasi forcat e sigurisë qëlluan me plumba të vërtetë kundër protestuesve që po dilnin nga një xhami në Kisuah, që ndodhet në jug të Damaskut.
Snajperët qëlluan për vdekje të paktën tre persona në kryeqendrën e Barzehut. Dy protestues u vranë nga forcat e sigurisë në Homs.
Komitetet e Koordinimit Lokal që monitorojnë protestat në Siri raportuan më herët për hyrjen e tankeve në periferi të Damaskut dhe bllokimin e rrugëve për në qendër të Homsit.
Mijëra njerëz protestuan në Irbin, në Homs dhe Hama, në qendër të Sirisë, në Dera në jug të vendit dhe Qamishli dhe Deir Al Zur, në lindje.
Top Channel