Çekia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën. Ky ka qenë premtimi i zëvëndëskryeministrit dhe njëherësh shefit të diplomacisë çeke, Karel Shvarcenberg, gjatë një takimi me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Po ashtu, diplomati çek ka njoftuar qeverinë e Kosovës se së shpejti Çekia do të marrë kryesimin e Forumit të Vishegradit dhe se në kuadër të këtij mekanizmi do të ushtrojë ndikimin e vet që vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë, ta bëjnë këtë.
Sipas një komunikate për media, të lëshuar nga zyra për Informim e qeverisë, njoftohet se kryeministri Thaçi e ka falënderuar z. Shvarcenberg për mbështetjen që vendi i tij po i jep Kosovës dhe i ka kërkuar që Çekia të lobojë për çështjen e njohjes së pavarësisë.
Ndërsa duke folur për proçesin e integrimit europian të Kosovës, kryediplomati çek është shprehur me tone optimiste lidhur me përmbushjen e kritereve nga institucionet kosovare, në kuadër të proçesit të liberalizimit të vizave.
Top Channel