Siri, ushtria djeg fshatrat

18/06/2011 21:55

Ushtarët sirianë u zhvendosën në fshatin Bdama, 2 km larg kufirit me Turqinë, duke qëlluar me armë dhe duke i vënë zjarrin shtëpive.

Saria Hamuda, avokate nga Bdama i tha Associated Press së kishte parë 10 autoblinda, 20 makina të tipit Jeep dhe 10 autobusë. “Pash persona që u vinin flakën dy shtëpive”, tregoi ajo.

Raporteve që i referohet BBC flasin për 70 të arrestuar.

Autoritetet turke thanë se rreth 10 mijë persona kanë kaluar territorin e saj dhe shumë të tjerë jetojnë në kampe, në anën siriane të kufirit.

Britania e Madhe këshilloi të gjithë shtetasit e saj të largohen sa më shpejtë të jetë e mundur nga Siria.

Bdama ndodhet në afërsi të Xhiser al Shugurit, në shenjestër të ushtrisë që kur trupat u vendosën në këtë zonë, më 10 qershor.

Qeveria siriane akuzon grupet e armatosura për vdekjen e 120 ushtarëve në këtë qytet, megjithëse ka raportime për kryengritje në rradhët e forcave të sigurisë.

Sipas aktivistëve sirianë, të premten të paktën 19 persona humbën jetën gjatë protestave kundër presidentit Bashar Al Asad.

Nëntë prej tyre u vranë në protestën që u zhvillua pranë xhamisë Al Nur, në Homs, ndërsa viktima të tjerë raportohen në Damask, kryeqytetin e Sirisë, në lindje të Deir al Zurit dhe në provincën Dera në jug.

Media shtetërore raportoi për një polic të vrarë dhe shumë të tjerë të plagosur.

Bilanci i viktimave në Siri, sipas OKB-së, është 1100 të vrarë, ndërsa aktivistët thonë se janë 1297 civilë të vdekur dhe 340 forca sigurie.

Gazetarët e huaj nuk lejohen të hyjnë në vend duke vështirësuar verifikimin e pavarur të çdo raportimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA