Në sheshin “Maqedonia” në Shkup, të martën ka mbërritur statuja gjigande prej 13 metra e Aleksandrit të Madh, e cila pritet të vendoset pjesë-pjesë mbi bazamentin e lartë prej rreth 10 metrash.

Statuja është përfunduar në Firence të Italisë dhe ka kushtuar rreth 5 milionë e 300 mijë euro. Për rreth skulpturës që tregon Aleksandrin mbi kalin e tij Bukefalin, do të vendosen edhe katër luan antik prej bronzi dhe 8 luftëtarë mermeri.

Kostoja e projektit në total është 9 milionë e 400 mijë euro. Reagimet e qytetarëve janë të ndryshme. Maqedonasit në përgjithësi mbështesin ngritjen e kësaj statuje.

“Kjo përmendore që po ngrihet, është shumë e mirë”, shprehet një qytetar.

“Është një ndjenjë shumë e mirë për ne maqedonasit. Kjo është kundërpërgjigje ndaj bllokadave greke. Të tregojmë se edhe ne dimë të vendosim vija të kuqe”, thekson një tjetër.

Ndryshe nga maqedonasit, qytetarët shqiptarë kundërshtojnë këtë projekt. Ata vlerësojnë se Maqedonia nuk guxon që në kohë krize të shpenzojë në përmendore gjigande.

“Nuk ka nevojë për buste sepse ato nuk janë pasuri e shtetit, aq më keq kur ato janë buste të huaja. E pengojnë edhe ekonominë”, thotë një prej banorëve.

“Krejt populli është kundër. Gruevski nuk po mendon po aspak për popullin po mendon vetëm vendosjen e përmendoreve në qendër”, thotë një tjetër.

Përveç qytetarëve askush nga zyrtarët e shtetit nuk ka dhënjë asnjë koment lidhur me vendosjen e kësaj statuje supergjigande. Ky veprim i Shkupit, nga analistët llogaritet si provokim ndaj shtetit grek dhe pritet të ngjallë reagime të ashpra në Athinë.

Greqia disa herë ka kërkuar nga zyrtarët maqedonas të heqin dorë nga ideja për përvetësimin e historisë së Aleksandrit të Madh. Shkupi dhe Athina tashmë 20 vite ballafaqohen me një problem serioz që ka të bëjë me emrin e Maqedonisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA