Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, e cila ndodhet për një vizitë në Adis Abeba, ka bërë presion mbi liderët e Bashkimit Afrikan që të tërheqin mbështetjen ndaj Muammar Gaddafi-t.
Clinton është sekretarja e parë amerikane e Shtetit që ka marrë fjalën përpara përfaqësuesve të 53 vendeve të BA.
“Tashmë është e qartë se koloneli nuk mund të qëndrojë më në pushtet”, ka deklaruar shefja e diplomacisë amerikane.
Por Gaddafi duket se nuk ka ndërmend të lërë Libinë. “Nuk jam as kryeministër, as president, as mbret. Nuk kam asnjë post pushtetar në Libi dhe për këtë arsye nuk kam nga se cfarë të heq dorë”, ka deklaruar ai.
Koloneli e ka përsëritur qëndrimin e tij gjatë një ndeshjeje shahu me presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Shahut, rusin Kirsan Ilyumzhinov.
Top Channel