Koha kur forcat e UÇK-së hynë në Prishtinë, ishte një ditë para hyrjes në këmbë të ushtarëve të NATO-s. Një ditë kjo që përfundimisht largoi ushtrinë e policinë serbe nga Kosova.
Në 12 vjetorin e çlirimit të Prishtinës, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e shoqëruar nga kryetari i Prishtinës Isa Mustafa vizitoi varrin e ish presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova dhe dëshmorëve të tjerë.
Ajo në akademinë solemne të Kuvendit Komunal të Prishtinës theksoi se Rugova ishte ideatori i politikës për liri, pavarësi dhe demokraci dhe siç tha Jahjaga, këto janë bazat edhe të shtetit të pavarur të Kosovës, që e kemi sot.
“Përvjetori i çlirimit të Prishtinës shënon fundin e një epoke të gjatë të përpjekjeve tona për liri, demokraci, pavarësi dhe që u kurorëzuan suksesshëm pas lëvizjes aktive paqësore që simbolizohet me ideologun dhe arkitektin e platformës së pavarësisë dhe të jetës demokratike të presidentit Ibrahim Rugova”, u shpreh Jahjaga.
“Edhe pse vitet po ecin, ne në asnjë mënyrë nuk do të harrojmë bijtë dhe bijat e këtij vendi që jetën e tyre ia kushtuan lirisë dhe mirëqenies së këtij populli. Prandaj edhe sot nga ky mjedis do falenderojmë dhe përkujtojmë të gjithë dëshmorët dhe martirët e lirisë”, theksoi Mustafa.
Ish ushtarët e UÇK-së në kujtim të ditës kur UÇK-ja zbarkoi në Prishtinë folën për planin operativ të asaj kohe që u quajt “Skifteri çlirimtar”. Një operacion ky i cili pengoi realizimin e planit të Beogradit për ndarjen e Prishtinës.
Nga ana tjetër, zëri i veteranëve të cilët janë në grevë pranë objektit të Kryeministrisë u dëgjua edhe në seancën solemne të komunës së Prishtinës.
“Kërkesa kryesore e tyre është, miratimi i ligjit për vlerat e luftës, kërkesë kjo shumë e arsyeshme. Është për të ardhur keq për hartuesit e Kushtetutës dhe të ligjeve të Republikës së Kosovës, që nuk i është dhënë vend i merituar në Kushtetutë luftës për liri, derisa në nenet e Kushtetutës dhe ligjeve janë akomoduar shumë mirë të drejtat e homoseksualëve”, deklaroi Fatmir Sopi, përfaqësues i shoqatave të dala nga lufta.
Edhe këtë vit aktivitetet që shënojnë përvjetorin e çlirimit të Prishtinës u organizuan nën patronatin e kryetarit të saj Isa Mustafa.
Top Channel