Kartelet e drogës korruptojnë agjentët USA

10/06/2011 10:15

Kartelet meksikane të drogës kanë zgjatur tentakulat e tyre tek agjentët
amerikanë të kufirit dhe doganave, duke u ofruar atyre ryshfete dhe
favore seksuale.

Lajmin e ka bërë të ditur Charles Edwards, oficer i Departamentit të Sigurisë së Brendshme, gjatë një fjalimi në komitetin e Senatit.

Sipas Edwards, kartelet po përdorin një “korrupsion sistematik” për të trafikuar drogë dhe emigrantë drejt Shteteve të Bashkuara.

Gjithashtu, ka nënvizuar zyrtari i lartë, narko-klanet po përpiqen të sigurojnë informacione mbi hetimet e policisë ndaj aktiviteteve të tyre.

Zoti Edwards e ka vënë theksin në vecanti tek karteli Los Zetas, sipas tij më i përfshiri në këtë “korrupsion sistematik”.

Ndërsa një zyrtar tjetër ka bërë të ditur se 127 agjentë amerikanë janë arrestuar ose gjykuar që prej vitit 2004 për këto akuza.

Alan Bersin, komisioner për doganat dhe mbrojtjen e kufijve, ka nënvizuar se ofensiva e qeverisë meksikane ndaj karteleve, e shoqëruar me rritjen e numrit të agjentëve në kufi, ka shumëfishuar rrezikun e korrupsionit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA