
Sëmundja e Esheria Kolit në Gjermani po ngadalëson ritmin, por psikoza dhe frika vazhdon ende. Mjekët po punojnë për të gjetur origjinën e epidemisë.
Të paktën 19 persona kanë humbur jetën, 17 në Gjermani dhe dy në Suedi, ndërsa mbi 2 mijë të tjerë janë prekur nga një formë agresive e Esheria Kolit.
Mjekët shprehin besim se mund të zbulojnë terapinë e re të antikorpeve, që do të jetë efektive kundër bakterit, një mutacion shumë toksik për organizmin e njeriut.
Profesori Reinhard BrunkHorst i Shoqatës së Nefrologjisë në Hanover tha se për të kuruar të sëmurët janë përdorur dy mënyra.
E para është shkëmbimi i plazmës e përdorur në dekada, si edhe terapia e re e anti-trupave që ndikon në sistemin imun, e përdorur për herë të parë, në një numër të madh pacientësh.
Pavarësisht këtij lajmi, shumë klinika në Gjermani bëjnë thirrje për dhurim gjaku, për t’u ardhur në ndihmë të prekurve nga bakteri.
Në dy ditët e fundit në këtë vend u raportuan 200 raste të reja.
Derisa të vërtetohet efektshmëria e kurimit, mjekët apelojnë për higjenë maksimale.
Ministria e Shëndetësisë në Gjermani vazhdon këshillat për të mos ngrënë sallatë jeshile, tranguj dhe domate.
E-Koli jeton në zorrët e gjedhëve dhe nuk është e dëmshme.
Por lloje të bakterit mund të shkaktojë diarre, dhimbje të forta stomaku dhe temperaturë të lartë, apo sindromën hemolitiko-uremike që sulmon veshkat dhe sistemin nervor qendror.
Top Channel